JUSTIFIKIMI/ “Isha i emocionuar kur shaja Sali Berishën” – Gjekmarkaj i tjetërsuar: Ora e opozitës po troket

Nënkryetari i Kuvendit dhe njëherësh deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka folur së fundmi lidhur me planet e opozitës në Parlement si dhe me atë çfarë “bluhet” brenda strukturave të kësaj force politike.

Gjatë një interviste për A2 CNN, Gjekmarkaj u vu përballë një shkrimi të tij vjetër, ku akuzonte kryedemokratit Berisha për “kapjen e partisë”.

“Fajin” deputeti demokrat për ato deklarata ja la pasionit dhe emocioneve të kohës, duke kërkuar që e shkuara të mos ndikojë te e tashmja.

“Nuk besoj që të ushqejmë të tashmen me të shkuarën sepse ne e kemi tejkaluar të gjithë situatën emocionale ku kemi qenë. Atë të konfliktit, qoftë edhe kur kemi shkruar edhe kur kemi folur. Kemi pasur pasionet e momentit se njerëz jemi. Por di të them se Sali Berisha është dëshmuar për herë të dytë në lartësinë e madhe të historisë, njëherë në dhjetorin e 90’ duke udhëhequr revolucionin, tani duke shpëtuar pluralizimin dhe PD pa llogaritur një pafundësi të madhe shërbimesh që i ka bërë vendit si Kryeministër apo President”, u shpreh Gjekmarkaj, teksa më tej theksoi se aksioni i tij si deputet në Kuvend do të jetë nxjerrja në pah e halleve të qytetarëve dhe problemet e qarkut Lezhë.

Më tej, ai nënvizoi se “ora e opozitës po troket. Vetëm duhet të kesh pak vullnet, të zgjohesh herët dhe ta dëgjosh”.