Policia e Sarandës ka arrestuar në flagrancë katër persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi u kapën duke ndërtuar pa leje në tokë publike, në Ksamil.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në rrugën “Riviera”, Ksamil, u konstatua ndërtimi i dy objekteve me konstruksion blloqesh betoni, ende të papërfunduara në tokë publike dhe pa lejen e organeve kompetente.
Të arrestuarit janë shtetasit Ervis Pashaj, 36 vjeç, Robert Musej, 34 vjeç, Myqerem Muhametaj, 47 vjeç, dhe Albano Avda, 19 vjeç, banues në Sarandë.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi Arbert Pole, 42 vjeç, banues në Ksamil, i dyshuar se kishte punësuar personat e mësipërm për të ndërtuar pa leje në tokë publike.
Njoftimi i Policisë:
Ksamil, Sarandë/Vihet në pranga 4 shtetas që po ndërtonin pa leje në tokë publike në Ksamil, si dhe shpallet në kërkim një tjetër i dyshuar si personi që i punësoi.
Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ushtruar kontrolle në Ksamil, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe si rezultat, më datë 04.09.2025, në rrugën “Riviera”, Ksamil, u konstatua ndërtimi i 2 objekteve me konstruksion blloqe betoni, të papërfunduara, në tokë publike, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
• E. P., 36 vjeç, R. M., 34 vjeç, M. M., 47 vjeç, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Sarandë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 42 vjeç, banues në Ksamil, i dyshuar si personi që kishte punësuar shtetasit e lartpërmendur për të ndërtuar pa leje në tokë publike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.









