DETAJET/ Zbulimi i varrit antik, flet arkeologu: Unik në Shqipëri – për kë u ndërtua monumenti

Në fshatin Strikçan të Bulqizës u gjet varri i parë monumental i periudhës romake, me përmasa mbresëlënëse dhe elementë të rrallë arkitektonikë dhe epigrafikë.

Monumenti, me dimensione rreth 9 metra në gjatësi dhe 6 metra në gjerësi, përfshin një dhomë funerare me lartësi 2.40 metra dhe është i konceptuar me tre ambiente, dhomë varrimi, paradhomë dhe shkallë monumentale. Në varr u gjet një mbishkrim bilingual romak, kushtuar individit të varrosur, Gellianos, dhe perëndisë Jupiter mbishkrimi i parë i këtij lloji në zonën e Dibrës.

Erikson Nikolli, arkeolog Instituti i Arkeologjisë i cili bëri zbulimin mbresëlënës tregoi në një intervistë për Euronews Albania se zbulimi i këtij monumenti është unikal për Shqipërinë pasi asnjëherë më parë nuk është zbuluar një varr i këtyre përmasave dhe i kësaj periudhe.

Ai shpjegoi se mbishkrimet dhe materialet e gjetura në varr sugjerojnë se personi që është varrosur në të i përkiste shtrese të lartë të shoqërisë.

“Nuk prisnim të zbulonim një varr monumental në këtë zonë, është unikal për gjithë Shqipërinë. Mbishkrimi është shkruar në alfabet grek po me kuptim romak. mendohet se kemi të bëjmë me një person të shtresë së lartë, disa indicie, vendi ku është lokalizuar varri, mbishkrimi, mendoj se kemi të bëjmë me një person të rëndësishëm të administratës romake. Ajo që është më e rëndësishme është se në mbishkrimin funerar të këtij varri zbulojmë dhe përmendjen e perëndisë së Jupiterit i cili nuk lidhet ngushtësisht me botën e përtejme por lidhet me fuqinë, me ushtrinë çka na bën të besojmë se që ndoshta mund të ketë pasur një rol që lidhet me tempujt e perëndisë se Jupiterit. Dimë vetëm që personi quhej Geliano, emër romak dhe ka vdekur 40 vjeç. Një pjesë e madhe e të dhënave është dëmtuar për shkak të gërmimeve ilegale nga kërkuesit e florinjve që kanë dëmtuar shumë pjesë të inventarit të varrit. Varri i përket shekullit të 3-4 të erës sonë kur nis edhe rënia e perandorisë romake. Ka qenë i mbyllur hermetikisht duke sjellë një material shumë të rrallë të tekstilit të veshur nga i vdekuri që është ruajtur i plotë. Ky tekstil përmes analizës do na japë një panoramë më të plotë, tekstili ka qenë i punuar me fije ari. Janë shumë të rralla varret monumentale të periudhës romake, asnjëherë nuk është gjetur një i kësaj përmase në vendin tonë”, tha arkeologu.