EMRI/ Atentati mafioz në Tepelenë – Italiani i vrarë ishte biznesmen i fuqishëm në Tiranë; makina iu bë shoshë nga plumbat 

Një biznesmen i fuqishëm italian që ka fabrikë tullash në Tiranë, është ekzekutuar pas mesnate në fshatin Salari të Tepelenës. Ai ka qenë duke udhëtuar si pasagjer në një mjet, bashkë me disa persona të tjerë, kur ka rënë në atentat.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, mes fshatrave Nivicë dhe Salari. Bëhet fjalë për shtetasin italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, banues në Tiranë.

Mësohet se një person ka shtënë me automatik teksa është shkëmbyer me automjetin që udhëtonte 44-vjeçari italian.

Në fillim, ai ka qëlluar në drejtim të gomave dhe më pas në drejtim të tij. Italiani ka qenë në një automjet që vinte nga drejtimi verior në aksin rura Nivicë-Salari.

Biznesmeni rezulton pronar i një fabrike tullash në kryeqytet.

Shërbimet e Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme për kapjen e autorit/ëve.

“Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Shoferi që ka qenë në drejtimin e mjetit ku udhëtonte italiani i vrarë dhe personat që e shoqëronin, ka thënë në dëshminë paraprake se ka rënë në atentat dhe menjëherë sapo 44 vjeçari është qëlluar me armë zjarri, ai ka shkelur gazin dhe është larguar.