Presidenti amerikan Donald Trump është zemëruar pasi Kina ka pritur ngrohtësisht udhëheqësit autoritarë Vladimir Putin dhe Kim Jong Un në një paradë madhështore ushtarake në Pekin. Në një reagim të ashpër në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump i drejtoi një mesazh ironik presidentit kinez Xi Jinping:
“Ju lutem përshëndeteni ngrohtësisht Putinin dhe Kim Jong Un-in, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Kjo ngjarje duket si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj Presidentit Trump dhe tregon dështimin e përpjekjeve të tij për të ndikuar liderët autoritarë përmes marrëdhënieve personale dhe “artit të marrëveshjes”. Takimet e tij me Putinin dhe Kim-in nuk kanë sjellë rezultate konkrete, lufta në Ukrainë po përshkallëzohet dhe Koreja e Veriut ka më shumë armë bërthamore se më parë
Trump gjithashtu theksoi se shumë amerikanë kanë humbur jetën në luftën kundër Japonisë perandorake gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kërkoi që ata të nderohen për guximin dhe sakrificën e tyre.
Festimet e Kinës vijnë në një moment të tensionuar global, ndërsa vendi po shfrytëzon paqëndrueshmërinë e politikës së jashtme të Trump për të forcuar ndikimin e vet dhe për të krijuar aleanca të reja që sfidojnë dominimin amerikan.
Megjithëse disa ekspertë theksojnë se bashkëpunimi midis Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut nuk është ende një aleancë e vërtetë ushtarake si NATO, grumbullimi i këtyre udhëheqësve autoritarë është një sinjal i qartë sfidues ndaj Perëndimit.
Një komandant i lartë i forcave ajrore amerikane tha se SHBA nuk do të dekurajohet nga këto “spektakle politike”, duke shtuar:
“Ne nuk do të ndalemi.”
Megjithatë, vendimet e Presidentit Trump gjatë muajve të parë të mandatit të tij të dytë po përshpejtojnë një zhvendosje të fuqisë globale drejt Lindjes. Politikat e tij nacionaliste, përçarja me aleatët dhe dobësimi i programeve të ndihmës ndërkombëtare po nxisin vendet e tjera të afrohen me Kinën.
Ironikisht, forca që po dëmton më shumë Perëndimin është vetë Presidenti i SHBA-së – vendit që për dekada ka qenë garantues i lirisë dhe demokracisë në botë./CNN









