DEKLARATA/ “Putin më ka zhgënjyer”- Donald Trump i vendosur: Do të ndalojmë evropianët të blejnë naftë ruse! Lufta në Ukrainë do të ndalet nëse…

Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur kritikat e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke u shprehur se është “shumë i zhgënjyer” nga ai, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë.

Gjatë një darke në Mount Vernon, Trump tha se mes 5.000 dhe 7.000 persona po humbasin jetën çdo javë, sipas tij, “pa asnjë arsye”, duke iu referuar luftës që vijon ende në Ukrainë.

Në të njëjtin aktivitet, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, Trump theksoi se rënia e çmimit të naftës do të ishte një mënyrë për të përfunduar luftën në Ukrainë.

“Nëse çmimi i naftës bie edhe më shumë, kjo do ta detyrojë Rusinë të tërhiqet. Lufta do të ndalet,” tha Trump, raporton Tgcom.

Ai shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara së shpejti nuk do t’u lejojnë më vendeve europiane të blejnë naftë nga Rusia, duke theksuar nevojën për një qasje më të ashpër ekonomike ndaj Moskës.

“Hej Matt, ata duhet të ndalojnë së bleri naftë nga Rusia. Mund t’ua thuash?”, iu drejtua ai ambasadorit Whitaker.

“Europianët vazhdojnë të blejnë naftë ruse, dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Matt nuk do ta lejojë për shumë gjatë.”