DAKORTESIA/ Komisioni Evropian gati për tarifa të reja ndaj naftës ruse pas propozimit të Trump

Komisioni Evropian po punon për një propozim të ri për të rivendosur tarifa mbi naftën ruse që vazhdon të hyjë në tregun e përbashkët përmes Hungarisë dhe Sllovakisë, pas presionit të Donald Trump për shkëputjen e lidhjeve energjetike me Moskën.

Tarifat e reja synojnë të rrisin koston materiale për të dyja vendet dhe rrjedhimisht të stimulojnë nevojën urgjente për të gjetur burime alternative.

“Ne momentin e duhur ne do të prezantojmë planin që kemi ndërmend”, deklaroi Olof Gill, zëdhënës për shtyp i Komisionit, i cili theksoi se nisma do të jetë e ndarë nga paketa e 19-të e sanksioneve që aktualisht ndodhet në tryezë.

BE vendosi një ndalim tërësor ndaj derivateve ruse të naftës në 2022-shin, për t’iu përgjigjur pushtimit të Ukrainës. Ndalimi u konsiderua një hap madhor drejt dhënies fund të vartësisë së Unionit nga Moska.

Por Hungaria dhe Sllovakia, dy shtete anëtare, siguruan një përjashtim për të vijuar blerjen e naftës përmes naftësjellësit Druzhba.

Dy vendet vlerësohet se marrin secila 100 mijë fuçi në ditë naftë urale, një lloj karburanti i rëndë që rafineritë e tyre janë projektuar për ta procesuar. Lëshimi, që pritej të ishte i përkohshëm, nuk është rishikuar kurrë.

Por tani Donald Trump dha ultimatumin. Presidenti amerikan i bëri thirrje publikisht vendeve evropiane që të ndalin blerjen e naftës ruse për të detyruar Kremlinin të pranojë ndalimin e luftës në Ukrainë.