ANKIMIMI/ Ilir Metaj kërkoi ndryshimin e masës “arrest në burg” – Gjykata e Posaçme e Apelit njofton seancën kur do të shqyrtohet kërkesa

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka njoftuar caktimin e seancës gjyqësore në lidhje me ankimimin e paraqitur nga Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kërkon ndryshimin e masës “arrest ne burg”.

Seanca do të zhvillohet më 8 shtator ora 10:00, në ambientet e kësaj gjykate, dhe ka si objekt ankimin ndaj vendimit nr. 546, datë 13.08.2025, të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ilir Metaj akuzohet për disa vepra penale, përfshirë “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Seanca është caktuar në bazë të nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale, ndërkohë që palët janë njoftuar zyrtarisht.

Avokati Kujtim Cakrani, si përfaqësues i të pandehurit, është paralajmëruar se mosparaqitja pa arsye të justifikuar do të sjellë zëvendësimin e tij me një mbrojtës kryesisht të caktuar nga gjykata.