Autoritetet siriane kanë lëshuar një urdhër-arresti në mungesë ndaj ish-presidentit Bashar al-Assad, nëntë muaj pas rrëzimit të tij nga pushteti. Lajmi është konfirmuar sot nga një hetues në Damask, citon agjencia shtetërore SANA.
Sipas hetuesit Taufik al-Ali, urdhër-arresti është lëshuar me akuzat për vrasje me paramendim dhe tortura që çuan në vdekje, në lidhje me një operacion shtypës të zhvilluar në vitin 2011 në qytetin Daraa, në jug të Sirisë.
Al-Assad, që qeverisi vendin për më shumë se dy dekada, u largua drejt Rusisë në dhjetor, pasi kryengritësit islamikë morën kontrollin e Damaskut
Në vitin 2011, në Siri shpërtheu një protestë paqësore pro-demokracisë kundër regjimit të Assad-it, e cila u përball me një reagim të dhunshëm nga ana e qeverisë. Kjo solli më pas përshkallëzimin e situatës në një luftë civile që shkaktoi qindra mijëra viktima dhe shkatërrime masive.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, qindra mijëra qytetarë përfunduan në burgje, ku shumë prej tyre u torturuan ose u zhdukën pa gjurmë.
Hetuesi sirian deklaroi se urdhër-arresti mund të shpërndahet përmes Interpolit, duke hapur rrugën për ndjekje ndërkombëtare të çështjes. Ai shtoi se procedimi nisi pas padive të paraqitura nga familjarët e viktimave.
Media siriane raportojnë gjithashtu se Ministria e Drejtësisë e ka lëshuar urdhrin të enjten, duke përfshirë edhe akuza për nxitje të luftës civile.









