I dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, u takua sot në Tel Aviv me të afërmit e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës dhe u tha atyre se Shtetet e Bashkuara do të kthejnë të dashurit e tyre dhe do të sigurohen që Hamasi të mbahet përgjegjës.
“Ne do t’i kthejmë fëmijët tuaj dhe do ta mbajmë Hamasin përgjegjës për çdo veprim të dëmshëm që ndërmerr. Ne do të bëjmë atë që është e drejtë për popullin e Gazës“, u tha Witkoff familjeve, sipas një deklarate.
“Ne e dimë se kush është gjallë dhe disa do të mbahen përgjegjës nëse nuk lirohen të gjallë. Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë deklaratë”, shtoi ai.
I dërguari i Donald Trump shprehu gjithashtu shpresën se fundi i luftës është afër: “Ne kemi një plan për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i rikthyer të gjithë”.
Siç është raportuar në një deklaratë nga Forumi i Familjeve të Pengjeve, Witkoff theksoi gjatë takimit që zgjati pothuajse tre orë angazhimin e Presidentit (Donald) Trump, si dhe angazhimin e tij personal për kthimin e të gjithë pengjeve. Sipas shifrave zyrtare izraelite, 50 pengje mbeten në Rripin e Gazës, nga të cilët të paktën 20 besohet se janë gjallë.









