Al-Hilal ka nënshkruar me sulmuesin uruguaian Darvin Nunjez nga Liverpuli me një kontratë trevjeçare.
Klubi i Superligës së Arabisë ka siguruar marrëveshjen me vlerë 53 milionë euro për 26-vjeçarin. Nunjez iu bashkua Liverpulit në qershor të vitit 2022 nga skuadra e Benfikës për një tarifë fillestare prej 64 milionë eurosh.
Ai ka shënuar 40 gola në 143 paraqitje për ‘Të Kuqtë’, por sezonin e kaluar, gjatë fushatës fituese të titullit, u aktivizua vetëm tetë ndeshje si titullar në Ligën Premier.
“Të gjithë në klub duan ta falënderojnë Darbin për kontributin e tij dhe t’i urojnë atij dhe familjes së tij gjithë të mirat për të ardhmen”, thuhej në njoftimin e klubit anglez.
Nunjez i është bashkuar tashmë skuadrës së Al-Hilal që drejtohet nga trajneri Inzagi, në kampin stërvitor parasezonal në Gjermani.
Largimi i tij mund të ndikojë në ndjekjen që Liverpul po i bën sulmuesit suedez Isak, me Njukastëll që ka refuzuar një ofertë fillestare prej 110 milionë eurosh.









