UKRAINE/ Kievi teston me sukses raketën me rreze 3.000 km, por Rusia nuk ndal sulmet! Zelensky: Tani po shënjestron edhe civilët 

Ukraina ka testuar me sukses një raketë të re me një rreze veprimi prej 3,000 kilometrash, tha presidenti Volodymyr Zelensky, duke shtuar se pavarësisht kësaj, Rusia po forcon forcat e saj në frontin jugor.

“Raketa i ka kaluar me sukses testet. Aktualisht është raketa jonë më e suksesshme: mund të fluturojë 3,000 kilometra, që është domethënëse”, tha Zelesnky në një deklaratë të lëshuar sot për mediat.

Presidenti ukrainas shtoi se prodhimi në shkallë të gjerë i raketës – e quajtur Flamingo – mund të fillojë deri në shkurt. Lidhur me manovrat e Moskës në front, Zelensky ka paralajmëruar trupat në Zaporizhzhia se armiku po forcohet.

“Mund të shohim se ata po vazhdojnë të transferojnë disa nga trupat e tyre nga zona e Kurskut në Zaporizhzhia”, ka shtuar ai.

Duke komentuar sulmin masiv rus me raketa dhe dronë të mbrëmshëm, presidenti ukrainas shkroi në Facebook: “Ushtria ruse ka vendosur një nga anti-rekordet e saj të çmendura. Ajo ka synuar infrastrukturën civile, ndërtesat e banimit dhe popullsinë tonë”.

Rusia, njoftoi më parë Forca Ajrore e Kievit, lëshoi ​​40 raketa dhe 574 dronë në Ukrainë gjatë natës.

Presidenti Zelensky njoftoi gjithashtu se i kishte kërkuar Presidentit Donald Trump të bindte Viktor Orban që Hungaria të ndalonte bllokimin e pranimit të Ukrainës në BE. Dje, doli se Trump e telefonoi Orbanin për ta nxitur atë të hiqte të gjitha pengesat për pranimin e Kievit në BE.