THIRRJA/ Trumpe bën të qartë: Shtetet amerikane që bojkotojnë kompanitë izraelite nuk do të marrin fonde për emergjencat natyrore

Administrata e Donald Trump ka paralajmëruar se shtetet dhe qytetet në SHBA nuk do të përfitojnë fonde federale për përgatitje ndaj fatkeqësive natyrore nëse zgjedhin të bojkotojnë kompani izraelite. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA).

Sipas kushteve të përcaktuara nga agjencia, shtetet duhet të konfirmojnë se nuk do të ndërpresin marrëdhëniet tregtare me biznese izraelite në mënyrë që të përfitojnë nga fondet federale. Bëhet fjalë për një shumë që kap vlerën e të paktën 1.9 miliardë dollarëve, e cila mbulon shpenzime për pajisje kërkimi dhe shpëtimi, paga emergjente dhe sisteme rezervë energjie.

Ky është një tjetër shembull i mënyrës se si administrata Trump përdor fondet federale për të shtyrë axhendën e saj politike edhe në nivel shtetëror.

Në korrik, FEMA njoftoi se do t’u kërkojë shteteve që një pjesë e fondeve për parandalimin e terrorizmit të përdoret për të ndihmuar autoritetet federale në ndalimin e emigrantëve, një tjetër prioritet i Trump.

Ky vendim lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin kundër fushatës ndërkombëtare BDS (Bojkot, Shitje, Sanksione), e cila synon t’i ushtrojë presion ekonomik Izraelit për të përfunduar pushtimin e territoreve palestineze. Fushata ka fituar jehonë të shtuar që nga viti 2023, pas përshkallëzimit të konfliktit në Gaza.

Një zëdhënëse e Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi:

“Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të zbatojë të gjithë ligjet dhe politikat kundër diskriminimit, përfshirë ato që lidhen me lëvizjen BDS, e cila bazohet haptazi në antisemitizëm.”