THIRRJA/ BE i kërkon Kinës të heqë sanksionet ndaj dy bankave lituaneze

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kinës të revokojë sanksionet e vendosura kundër dy bankave lituaneze, të cilat vijnë si kundërpërgjigje ndaj masave të BE-së ndaj huadhënësve kinezë të lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Pekini njoftoi këtë javë masat kundër Urbo Bank dhe Mano Bank, edhe pse këto banka nuk operojnë në territorin kinez, duke i dhënë veprimit një karakter kryesisht simbolik.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, theksoi se sanksionet e BE-së synojnë të minimizojnë efektivitetin e makinës së luftës ruse dhe nënvizoi se kundërmasat kineze “nuk kanë ndonjë justifikim ose bazë në prova”.

Ai i bëri thirrje Kinës t’i heqë menjëherë këto sanksione.

Paketa e fundit e sanksioneve të BE-së, e miratuar në korrik dhe në fuqi nga 9 gushti, përfshinte Bankën Tregtare Rural Heihe dhe Bankën Tregtare Rural Heilongjiang Suifenhe për shkak të ndihmës që ofronin Moskës për të shmangur kufizimet ndërkombëtare.

Nga ana e tyre, bankat dhe autoritetet lituaneze thanë se masat kineze nuk priten të kenë ndikim praktik.

“Ky vendim nuk do të ndikojë ndjeshëm në sistemin financiar apo në aktivitetet e bankave, pasi modelet e tyre të biznesit janë të fokusuar në tregun vendas”, deklaroi Banka e Lituanisë.

Tensionet kanë rrënjë më të thella politike: Pekini kishte dëbuar ambasadorin lituanez në vitin 2021 pas lejes që Lituania i dha Tajvanit të hapë një zyrë ndërlidhëse në Vilnius.

Lituania ka vazhduar të ketë qëndrime kritike ndaj politikave kineze, duke përfshirë incidentin e vitit 2024 me një anije kineze të dyshuar për prerjen e kabllove nën Detin Baltik.

Ky zhvillim thekson përçarjen në rritje midis Brukselit dhe Pekinit, veçanërisht mbi mbështetjen e Kinës për Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.