TAKIMI TRUMP-PUTIN/ Ja kush janë pesë gjëra që duhet t’i dini para samitit

Këto janë gjërat kryesore që duhet t’i dini para takimit të presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin ballë për ballë.

Shumë analistë e shohin takimin me Trumpin si fitore për Putinin, teksa lideri rus tenton t’i japë fund izolimit ndërkombëtar.

“Asnjë lider perëndimor nuk është takuar me Putinin prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkallë të plotë. Tani ai e zhvillon një samit me presidentin amerikan, pa ndonjë koncesion paraprak”, ka thënë Jana Kobzova, e cila ka shërbyer si këshilltare për politikë të jashtme për ish-presidenten sllovake, Zuzana Çaputova.

Përtej kësaj, synimi i Putinit vazhdon të mos ndryshojë qysh prej fillimit të luftës.

“Kremlini beson se është në epërsi në fushëbetejë, prandaj nëse nuk mund të bëjë lëshime diplomatike, ai vetëm vazhdon misionin në terren”, ka thënë Kobzova.

Për këtë arsye, Putini pritet t’i rezistojë idesë së pranimit të armëpushimit.

Trump ka thënë se dëshiron ta shfrytëzojë këtë samit për ta shtruar rrugën për një takim tjetër që do ta përfshinte edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Besoj që do të jetë takim i mirë, mirëpo edhe më i rëndësishëm do të jetë takimi i dytë që do ta kemi. Do ta kemi një takim me presidentin Putin, presidentin Zelensky, mua, dhe ndoshta do t’i ftojmë edhe liderët evropianë, ndoshta jo”, ka thënë Trump më 14 gusht.

Trump e ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë një armëpushim sa më shpejt që është e mundur, si hap i parë drejt zgjidhjes përfundimtare. Mirëpo, disa analistë kanë thënë se Putini do t’i trazojë ujërat duke bërë propozime tjera.

Jim O’Brien, zyrtari që ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështje evropiane në administratën e Joe Bidenit, ka thënë se ka shumë mundësi që në propozimet e Putinit të dominojë aspekti financiar, si mundësi për t’i shmangur hollësitë konkrete të ndonjë armëpushimi.

“Mund të ketë marrëveshje bilaterale, sidomos për marrëveshje tregtare prej të cilave përfitojnë bizneset amerikane”, ka thënë ai.