SERIE A/ Anguissa shpëton Napolin në fund! Mbrojtja e pathyeshme, sulmi në krizë (VIDEO)

Napoli i Contes siguroi një fitore të vuajtur 1-0 ndaj Cagliarit, falë golit një goli në minutat e fundit. Ndërsa mesfusha mbetet garancia më e madhe, sulmi vuan mungesën e Lukakut.

Nuk ishte ndeshja më e bukur për Napolin kampion në fuqi, por edhe këtë herë “Fab 4” bënë diferencën. Pas McTominay dhe De Bruyne në debutim ndaj Sassuolos, këtë herë ishte Anguissa që doli në skenë duke shënuar golin e fitores në sekondat e fundit dhe duke siguruar tre pikë të arta për ekipin e Contes.

Një tjetër dëshmi se mesfusha napolitane është ndoshta më e forta në Serie A, e aftë të mbulojë boshllëkun e Lukakut.

Conte mund të buzëqeshë edhe për prapavijën: dy ndeshje dhe dy porta të paprekura. Lajm i mirë është rikthimi i Alessandro Buongiornos, i cili jo vetëm mori minuta të vlefshme pas dëmtimit, por shërbeu edhe asistin vendimtar për golin e Anguissas.

Është e vërtetë se Sassuolo dhe Cagliari nuk rrezikuan shumë përpara portës së Meretit, por organizimi i mbrojtjes duket solid dhe në vazhdën e suksesit të sezonit të kaluar.

Problemet e vetme shihen në sulm. Lorenzo Lucca zhgënjeu përsëri, duke treguar vështirësi në interpretimin e rolit që për Lukakun është natyral.

Për një lojtar të ri, të sapoardhur në një klub të madh, nuk është e lehtë të përmbushë kërkesat taktike të Contes, por deri tani ai është konsideruar ndër më të dobëtit në fushë. Mungesa e një “terminali” ofensiv që bashkëpunon me mesfushorët ndihet fort.

Pikërisht për këtë arsye, drejtori Manna ka vepruar duke sjellë në Napoli sulmuesin danez Rasmus Hojlund, i cili nuk ka shkëlqyer në dy sezonet e fundit me Manchester United.

Conte, mjeshtër në ringjalljen e lojtarëve në vështirësi, do të përpiqet ta rikthejë atë në formë. Nëse arrin të bashkojë të gjitha pjesët e këtij “puzzle”-i, Napoli do të mbetet pretendent kryesor dhe skuadra për t’u mposhtur edhe këtë sezon.