Presidenti Donald Trump sugjeroi se do të vendoste tarifa shtesë për vendet që blejnë energji nga Rusia – përfshirë Kinën, sipas CNBC. Trump gjithashtu pretendoi se nuk kishte njoftuar kurrë një përqindje të tarifave- që do t’u vendoste partnerëve tregtarë rusë.
Më herët, Trump u tha gazetarëve se po planifikonte të vendoste tarifa shumë të ashpra deri në rreth 100%. Kjo tërheqje retorike sugjeron se Trump mund të mos ketë ndërmend të zbatojë plotësisht kërcënimet e tij të mëparshme.
“Sot kemi një takim me Rusinë. Do të shohim se çfarë ndodh. Do ta marrim këtë vendim në atë kohë”, tha presidenti amerikan.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, mbërriti sot në Rusi për takime me zyrtarë rusë, përpara afatit të 8 gushtit të vendosur nga Trump – që Moska të arrijë një armëpushim me Ukrainën.
Aleatët e Ukrainës thanë se blerjet e naftës ruse nga vendet, përfshirë Kinën dhe Indinë, kanë ndihmuar në mbështetjen e ekonomisë së udhëheqësit rus Vladimir Putin dhe kanë ulur presionin mbi Moskën për t’i dhënë fund një lufte – që tani është në vitin e saj të katërt.
Gjithashtu, Trump tha për CNBC se po “i afrohej shumë një marrëveshjeje” me Kinën për të zgjatur armëpushimin tregtar – pasi të dyja vendet ranë dakord për uljen e tarifave reciproke dhe lehtësimin e kufizimeve të eksportit për magnetet e rralla të tokës dhe teknologji të caktuara.









