Liderët evropianë po i kërkojnë Uashingtonit të ashpërsojë sanksionet kundër Rusisë përpara një takimi të rëndësishëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë, takim që shihet si vendimtar për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e BE-së.
Në një samit të mbajtur të shtunën, i organizuar nga ministri i Jashtëm britanik David Lamy dhe nënpresidenti amerikan J.D. Vance, këshilltarë të sigurisë nga Evropa dhe Ukraina kërkuan që SHBA të rrisë presionin mbi Moskën përmes sanksioneve më të ashpra.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, në një deklaratë për Financial Times, tha:
“Putini vepron vetëm kur ndjen presion. Deri tani, sanksionet nuk janë zbatuar realisht. Nëse do të zbatoheshin, ndikimi mbi ekonominë ruse do të ishte domethënës.”
Merz shtoi se ka kërkuar nga presidenti amerikan që të veprojë në këtë drejtim dhe zbuloi se po ashtu po i bëhet presion presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të marrë pjesë në takimin në Alaskë.
Bashkimi Evropian po shqyrton përdorimin e aseteve të ngrira të shtetit rus për të financuar rindërtimin e Ukrainës. Një prej propozimeve është huamarrja e fondeve nga asetet ruse prej 190 miliardë eurosh në Euroclear, një shtëpi financiare belge.
Një zyrtar i lartë i BE-së deklaroi për Financial Times:
“Nëse Rusia nuk e kompenson Ukrainën për dëmet, do të diskutohet seriozisht çfarë ndodh me këto asete.”
Nënpresidenti amerikan Vance e quajti takimin e ardhshëm një “përparim të madh diplomatik”, por paralajmëroi se SHBA nuk do të vazhdojë të financojë luftën në Ukrainë në të njëjtin nivel si më parë.
“Nëse Evropa shqetësohet vërtet për këtë konflikt, atëherë duhet të marrë një rol më të madh dhe konkret në financimin e luftës,” tha ai për Fox News.
Evropa është shprehur hapur kundër idesë së një “shkëmbimi territoresh”, të cilën Trump e përmendi javën e kaluar. Zyrtarë të BE-së thonë se një marrëveshje e tillë do të përfitonte vetëm Rusinë.
“Nuk mund të ketë paqe që shpërblen agresorin. Kjo do rrezikonte gjithë sistemin e sigurisë evropiane,” përfundoi kancelari gjerman Merz.
Po ashtu, BE dhe NATO kërkojnë që çdo marrëveshje të përfshijë garanci të forta sigurie për Ukrainën, përfshirë të drejtën për të pasur forcat e saj të armatosura dhe mbështetje nga vendet perëndimore pa kufizime.









