MERKATO/ Te Vllaznia nuk ka vend për talentet vendas – Delaj drejt firmës me rivalët në Superiore

Antonio Delaj është një tjetër talent i dalë në radhët e klubit të Vllaznisë, i cili do të largohet nga kuqeblutë pasi nuk gjen vend në radhët e tij. Dhe tashmë duket se është gjetur një zgjidhje për anësorin e sulmit, i cili pritet të transferohet në një tjetër klub të Superiores.

Sipas “Shkodra Sport”, Delaj do të bëhet pjesë e klubit të Elbasanit në sezonin në vijim, me marrëveshjen e arritur mes skuadrave dhe me miratimin e futbollistit i cili shpreson të gjejë më shumë minuta në dispozicion te verdheblutë. Ai u aktivizua më rregullisht në pjesën e parë të sezonit të kaluar, port pastaj u la në hije nga shpërthimi i Dodajt i cili u bë i pazëvendësueshëm në formacion deri në largimin e tij.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Delaj do të transferohet me një formulë të veçantë, pasi Vllaznia do të mbajë 30% të kartonit të tij për të përfituar në rast të një shitje të mundshme në të ardhmen.