Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë përmes një komunikimi në rrjetet sociale, ku foli për zaptimin e hapësirave publike dhe për masat që do të merren për lirimin e tyre.
Gjatë një lidhjeje “live”, teksa udhëtonte me makinë drejt Durrësit për të inspektuar objektet e vendosura pa leje pranë rrugëve kombëtare, Rama theksoi se më 31 korrik ka skaduar afati për heqjen e tyre.
Ai njoftoi se nga 1 gushti do të nisë ndërhyrja hap pas hapi nga strukturat përkatëse të kontrollit mbi territorin.
“Ambicia jonë është që të bëhemi kampionë të Ballkanit në turizëm,” u shpreh kreu i qeverisë.
Duke u ndalur te lirimi i hapësirave publike në qytete, ai theksoi se trotuari i përket qytetarëve, ndërsa tha se nuk do të lejohet asgjë në mënyrë selektive.
S’ka për tu lejuar asgjë selektive, tentativat do bëhen, dikush do mbyllë sytë, por nuk do lejohet asgjë selektive, duke bashkëpunuar komuniteti me autoritetet.
Tentativat për shmangie do të ndodhin, dikush mund të përpiqet të mbyllë sytë, por nuk do të tolerohet. Komuniteti duhet të bashkëpunojë me autoritetet. Duke këmbëngulur, duke denoncuar dhe duke çuar përpara këtë proces të përbashkët, do t’i kthejmë hapësirat publike qytetarëve,” tha Rama.
“Një pjesë e tij mund të përdoret për t’u ulur e për të pirë një kafe, por gjithmonë me një kufi të qartë, duke garantuar lirinë e lëvizjes për të tjerët,” tha ai.
Kryeministri shtoi se qëllimi nuk është ndëshkimi i bizneseve, por vendosja e rregullit dhe respektimi i hapësirave publike:
“Nuk është ideja ‘hajde t’i ndëshkojmë’. Gjithçka do të hiqet, hap pas hapi. Do të jetë një proces i koordinuar me komunitetin dhe do të hapet edhe një adresë e posaçme – ‘Portal: Hapësira Ime’ – për denoncimet. Duhet të ndahet mendja se nuk mund të shtohesh përtej kufirit ku nis jeta e komunitetit.”
Në fund, Rama i bëri thirrje pronarëve që përdorin toka private për parkim në mënyrë të paligjshme, të aplikojnë për leje ndërtimi për të ndërtuar parkime të strukturuara.
“Është e rëndësishme të kuptohemi: nuk është ideja që ‘hajde t’i ndëshkojmë’. Të gjitha do të hiqen, një nga një, hap pas hapi. Është shumë pozitive që të gjithë ju të merrni pjesë në këtë proces, duke çuar denoncime. Do të hapet edhe një adresë e posaçme – portali ‘Hapësira Ime’. Duhet të ndahet mendja se askush nuk mund të zgjerohet përtej kufirit ku nis jeta e komunitetit. Kemi vendosur plazhe publike dhe jemi më mirë se vitin e kaluar, por ende nuk jemi aty ku duhet. Ndëshkimet do të jenë të tilla që askujt të mos i shkojë mendja të nisë sërish të njëjtën lojë. Po pastrojmë zonat te ’21 Dhjetori’, te ‘Komuna e Parisit’, por nuk mund të mbeten ashtu siç janë – do të ndërhyjmë me projekte urbanistike për të krijuar hapësira publike të denja. Ata që kanë prona private të shfrytëzuara si parkime të paligjshme janë të ftuar të aplikojnë për leje ndërtimi dhe të ndërtojnë parkime me 2 apo 3 kate, që mund të jenë godina të bukura dhe funksionale,” tha Rama.
Pjesë nga fjala e Kryeministrit Rama:
Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE duke i ndarë mbrapsht punët, disa andej që përpiqet të bëjnë punën dhe disa që përpiqen të bëjnë diçka duke mos pyetur për punën e përbashkët. Në këtë aspekt territori ka një rëndësi të posaçme. Respekti për hapësirën e përbashkët ka rëndësi të posaçme. Vendosja qartë e kufirit mes të drejtës mbi hapësirën e përbashkët dhe të drejtës së kujdo që do të zhvillojë një aktivitet të caktuar legjitim në këtë hapësirë është një domosdoshmëri.
Nuk mundet dot që të vazhdojmë të lejojmë që bukuritë e mëdha që na ka falur zoti të abuzohen dhe nga ana tjetër ne të paraqitemi para fëmijëve tanë, pastaj edhe të tjerëve, nëse për veten nuk paskemi respekt si raqexhi, si delenxhi dhe si abuzues me pasuri që nuk janë tonat, por janë të përbashkëta. Kemi bërë disa hapa, por ju siguroj që ky nuk është aksion, por është një përpjekje e pandalshme e të qëndruarit së bashku.









