KUSHTEZIMI/ Trump paralajmëron sanksione të reja ndaj Rusisë nëse nuk arrihet armëpushimi: Jo luftë botërore, por ekonomike

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të martën se është i gatshëm të vendosë sanksione të reja ekonomike ndaj Rusisë nëse presidenti Vladimir Putin nuk pranon një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën, duke paralajmëruar për pasoja serioze.

“Ne duam që kjo të marrë fund. Kemi sanksione ekonomike. Po flas për ekonomike, sepse nuk kemi ndërmend të përfshihemi në një luftë botërore. Nuk do të jetë luftë botërore, por një luftë ekonomike,” theksoi Trump, duke shtuar se “pasojat do të jenë të këqija për Rusinë”.

Ai sqaroi se nuk dëshiron të veprojë menjëherë me vendosjen e tarifave apo sanksioneve që do të dëmtonin ekonominë ruse, duke shpresuar ende në mundësinë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.

Trump nuk i kurseu komentet edhe për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke lënë të nënkuptohet se ai mban pjesërisht përgjegjësi për luftën.

“Nuk është i pafajshëm,” u shpreh Trump për Zelenskyn.