KRIZA E UJIT/ Thatësira shteron rezervuarët në Turqi

Thatësira në veriperëndim të Turqisë ka shkaktuar mungesë kritike të ujit, duke ndikuar në jetën e përditshme. Në një nga digat, niveli i ujit ka rënë në 0%, nga ku kërkohet furnizim alternative.

Një thatësirë në provincën veriperëndimore të Turqisë, Tekirdag, ka lënë digat kryesore të zonës pa ujë të pijshëm, duke e rënduar infrastrukturën dhe duke lënë disa shtëpi pa ujë për javë të tëra, për shkak të një rënieje të ndjeshme të reshjeve në vend këtë vit.

Autoritetet thonë se thatësira është një problem kritik, me disa provinca që paralajmërojnë për furnizim të kufizuar me ujë të pijshëm këtë verë.

Zona të ndryshme në Izmir, provinca e tretë më e populluar e Turqisë, kanë përjetuar ndërprerje të shpeshta të ujit këtë muaj, ndërsa bashkia në provincën perëndimore të Usakut u tha gjatë fundjavës se do të kishte qasje në ujë vetëm gjashtë orë në ditë, me rezervuarin kryesor të ujit të shterur.

Reshjet ranë me 71% në korrik në të gjithë vendin nga një vit më parë, sipas Shërbimit Meteorologjik të Turqisë. Në rajonin e Marmarasë, i cili përfshin Tekirdagun dhe Stambollin, ato ranë 95% nën normën mujore në korrik.

Në dhjetë muajt deri në gusht, reshjet ranë me 32% në Marmara krahasuar me normën, ndërsa ranë me 26% në të gjithë Turqinë, në nivelin më të ulët në 52 vjet.

Niveli i ujit në digën Naip të Tekirdagut, e cila nuk ka parë reshje shiu në qershor dhe korrik, ra në zero përqind në gusht. Kjo i ka detyruar autoritetet të gjejnë alternativa të furnizimit me ujë.

Uji në digën Turkmenli, që zakonisht përdoret për ujitje, është përdorur për të furnizuar me ujë distriktin Marmaraereglisi të Tekirdagut, ku disa lagje u përballën me ndërprerje të ujit.