Mbrëmja e 17 gushtit shënoi finalen e madhe të edicionit të pestë të Porto Palermo Festival, në oborrin e Kalasë së Ali Pashës.
Një natë e elektrizuar nga dritat dhe ritmet moderne, ku historia u ndërthur me artin bashkëkohor, solli një përjetim të paharrueshëm për publikun.
Në këtë finale, DJ Black Jack ndezi atmosferën me set-in e tij elektronik, Gabriele Gagliarini solli fuqinë e perkusionit, ndërsa tingujt virtuozë të violinës së Olen Çesarit e ngritën natën në një dimension magjik.
Publiku vallëzoi deri në agim, duke përjetuar një natë plot energji dhe emocione.
Kjo ishte mbrëmja e 12-të, kulmi i një edicioni të mbushur me art, kulturë dhe muzikë nga e gjithë bota.
Porto Palermo Festival, i organizuar për të pestin vit radhazi nga violinisti Olen Çesari, është tashmë një traditë e verës shqiptare që sjell artistë vendas dhe ndërkombëtarë në një dialog kulturor pa kufij.
Edicioni 2025 kulmon përfundimisht më 23 gusht, me një mbrëmje të veçantë në pedonalen e Himarës, duke mbyllur kështu një tjetër verë të pasur me muzikë dhe emocione.









