Sharon Stone ka folur së fundmi për grindjen me Michael Douglas, si dhe për bashkëpunimin e tyre në filmin e njohur “Basic Instinct”, duke zbuluar detaje të panjohura më parë rreth marrëdhënies së tyre, shumë kohë përpara se të bëheshin një nga çiftet më ikonike të ekranit në filmin e Paul Verhoeven.
Në një intervistë për Business Insider, aktorja 67-vjeçare tregoi se fillimisht Michael Douglas nuk dëshironte të provonte skena me të, pasi ajo ishte një aktore e panjohur në atë kohë.
“Ai nuk donte të tregonte të pasmet e tij në ekran me një të panjohur – dhe unë e kuptova këtë,” tha Stone.
Sipas saj, refuzimi i Douglas nuk kishte të bënte vetëm me mungesën e famës së saj, por edhe me një incident të mëparshëm mes tyre në Festivalin e Filmit në Kanë.
“Ishim një grup njerëzish dhe ai po fliste për dikë dhe fëmijët e tyre. E njihja shumë mirë atë person për të cilin po fliste. Kështu që ndërhyra dhe ai më bërtiti: ‘Çfarë dreqin di ti?’ Ishte një bisedë që kishte të bënte me marrëdhënien baba-bir.”
Stone shtoi: “Padyshim që preka një pikë të ndjeshme për të. Ai bërtiti para të gjithëve. Dhe unë nuk jam nga ato që thonë: ‘Më fal, ylli im.’ Tërhoqa karrigen mbrapa dhe i thashë: ‘Hajde të dalim jashtë.’ Kështu u njohëm.”









