Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një urdhër urgjent evakuimi për banorët e Delvinës. Situata dramatike e mbrëmjes së djeshme u qetësua gjatë natës, por mëngjesin e sotëm siç duket është përkeqësuar sërish.
“Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, thotë njoftimi.
Ministri Pirro Vengu ka njoftuar se në Delvinë po punojnë nga ajri dy helikopterë, ndërkohë nga toka janë angazhuar qindra trupa të ushtrisë, Policisë së Shtetit, vullnetarë dhe banorë të zonës.
Një vatër e re është aktivizuar në lagjen Kasapaj, shumë pranë qytetit të Delvinës, ndërkohë në rrezik janë fshatrat Leftrehor, Varfaj dhe fshati Rusan. Në vatrën e re që është pranë shtëpive në Kasapaj, janë të paktën 4 automjete zjarrfikëse dhe dhjetëra trupa.
Kliko linkun për video:👇👇 https://www.facebook.com/share/v/14Hu9PFMQkH/?mibextid=wwXIfr
Për shkak të situatës së krijuar nga zjarret në zonën e Delvinës, OSHKSH Qendror, strukturat rajonale, Spitali i Delvinës, NJVKSH Delvinë dhe qendrat shëndetësore të zonës ndodhen në gatishmëri të plotë për menaxhimin e çdo emergjence.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.
Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin. Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.









