DEKLARATA/ Trump: Shanse të mirë për një takim mes Putin dhe Zelenskyt! Do punojmë për t’i dhënë fund luftës

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “ka shanse të mira” që ai të zhvillojë takime me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pas asaj që ai e përshkroi si “bisedime shumë të mira” mes të dërguarit të tij dhe Kremlinit, shkruan BBC.

I pyetur në Shtëpinë e Bardhë nëse ishte rënë dakord për një samit të tillë, Trump tha se kishte një “perspektivë shumë të mirë”, por nuk dha më shumë detaje.

Ndërkohë, Kremlini publikoi një deklaratë të shkurtër në lidhje me takimin mes Putin dhe Steve Witkoff, i dërguari i Trump, duke theksuar se palët kishin shkëmbyer “sinjale” në kuadër të bisedimeve “konstruktive” të zhvilluara në Moskë.

Takimi vjen vetëm pak ditë para afatit të caktuar nga Trump, që Rusia të pranojë një armëpushim në Ukrainë, përndryshe do të përballet me sanksione të reja. Në një postim në rrjetin e tij social, Trump tha se kishte informuar disa prej aleatëve evropianë të SHBA-së pas bisedimeve.

“Të gjithë janë dakord që kjo luftë duhet të marrë fund, dhe do të punojmë për këtë në ditët dhe javët në vijim,” shkroi Trump.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për mediat se Rusia kishte shprehur dëshirë për një takim me Trump, dhe se presidenti ishte “i hapur për të takuar si presidentin Putin, ashtu edhe presidentin Zelensky”.