ZYRTARE/ Luiz Diaz kalon te Bajerni për 75 mln euro – drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë: Blemë një nga më të mirët e Premier Ligës

Luis Diaz është zyrtarisht lojtari më i ri i Bajernit të Mynihut. Klubi gjerman ka arritur një marrëveshje të plotë me Liverpulin për transferimin e sulmuesit kolumbian kundrejt 75 milionë eurove, duke mbyllur një nga sagat më të përfolura të merkatos së verës.

Diaz ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor 2029 dhe do të mbajë fanelën me numrin 14.

Sipas mediave gjermane, paga e tij te Bajerni do të jetë 14 milionë euro në vit, duke katërfishuar rrogën që merrte te Liverpuli, ku ishte ndër lojtarët më pak të paguar të skuadrës.

Dëshira e “Luços” për të lënë “Anfield Road kishte nisur të flitej që në fillim të korrikut dhe më në fund u bë realitet.

Diaz, i cili ishte një nga objektivat kryesorë të trajnerit Vinsent Kompani, pritet të jetë një shtesë e madhe për repartin ofensiv të kampionëve të Gjermanisë.

Kristof Frojnd, drejtori sportiv i Bajernit tha: “Luis është një rrezik i vazhdueshëm për portat kundërshtare dhe finalizues i shkëlqyer. Ka një intensitet loje të jashtëzakonshëm, është i shpejtë, i gjithanshëm dhe punon shumë për ekipin. Ka fituar përvojë të madhe me Liverpulin dhe kombëtaren kolumbiane. Një lojtar i plotësuar që do t’i entuziazmojë tifozët tanë”.

Nga ana e tij, CEO, Zhan Kristian Drisen shtoi: “Me Luis Díaz kemi sjellë te Bajerni njërin prej më të mirëve në krahun e majtë të Premier Ligës. Ka fituar trofe kudo ku ka luajtur dhe përfaqëson shpirtin tipik të Liverpulit. Kemi punuar si klub për të bërë të mundur këtë transferim dhe jemi të lumtur që sot prezantojmë një top-lojtar ndërkombëtar. Jam i sigurt se do t’i japë impulse të reja ekipit dhe vetë Bundesligës”.

Në fund, falënderime për Liverpulin për “negociatat korrekte dhe serioze”. Bajerni i Mynihut ka një “armë” të re nga Amerika Latine. Bundesliga pret spektakël prej tij.