Zonat e lëvizjes së lirë në Evropë po përjetojnë ndryshime të rëndësishme, sidomos përsa i përket mënyrës së udhëtimit dhe kontrollit të kufijve.
Nga 12 tetori dhe në vijim, do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për Zonën Schengenqë përfshijnë digjitalizimin e sistemit të hyrjes/daljes, autorizimin e udhëtimeve për qytetarët nga vende të treta dhe ndryshime në mënyrën se si llogaritet koha e qëndrimit në hapësirën Schengen.
Shqipëria, edhe pse ende nuk është pjesë e plotë e kësaj zone, ndikohet në mënyrë të tërthortë. Qytetarët shqiptarë që udhëtojnë pa vizë në vendet Schengen për turizëm apo qëllime të ngjashme do të duhet të pajisen me autorizimin ETIAS nga fundi i vitit 2026, si dhe do të regjistrohen në sistemin automatik të hyrje-daljes (EES) nga tetori 2025.
Sistemi i ri hyrje/dalje po prezantohet për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të identifikuar udhëtarët që qëndrojnë më gjatë se koha e lejuar në Zonën Shengen.
Nga 12 tetori, Shtetet Anëtare të BE-së do të fillojnë të prezantojnë sistemin gradualisht gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh, tha Komisioni Evropian në një deklaratë.
Autoritetet kufitare do të regjistrojnë në mënyrë progresive të dhënat e shtetasve të vendeve të treta që kalojnë kufijtë. Në fund të kësaj periudhe, sistemi do të vendoset plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Çfarë do të thotë ky sistem për udhëtarët?
Ai do të jetë një sistem regjistrimi për udhëtarët e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe vendeve të tjera jo anëtare të BE-së, siç është edhe Shqipëria. Udhëtarët do të duhet të skanojnë pasaportat ose dokumentet e tjera të udhëtimit në një qendër vetëshërbimi sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Nuk do të zbatohet për qytetarët ose banorët e ligjshëm të BE-së ose ata me viza afatgjata.
Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike, si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimet e fytyrës dhe të dhënat e gjurmëve të gishtërinjve të marra gjatë regjistrimit të parë ruhen në bazën e të dhënave EES për tre vjet.
Gjatë kësaj periudhe, udhëtarët do të duhet të japin vetëm një gjurmë gishti ose një foto në kufi kur hyjnë dhe dalin, të cilat do të krahasohen me të dhënat e ruajtura.
Këto rregulla do të prekin edhe shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët aktualisht gëzojnë regjim pa viza për hyrje të shkurtër në zonën Shengen.
Sistemi i ri do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave dhe do të lejojë autoritetet kufitare të kontrollojnë automatikisht kohëzgjatjen e qëndrimit të lejuar për turistët dhe udhëtarët e biznesit.
Këto ndryshime synojnë të rrisin sigurinë, por kërkojnë edhe më shumë kujdes dhe planifikim nga ana e udhëtarëve.









