Zjarri në malin e Dukatit vijon të përhapet, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonën pyjore të fshatit.
Forcat zjarrfikëse të Vlorës dhe efektivë të ushtrisë janë nisur drejt vatrës së zjarrit, ku prej disa ditësh përpiqen të përballojnë flakët me mjete rrethanore si lopata, degë dhe pompa shpine.
Edhe gjatë ditës së sotme, ndërhyrja nga toka po vazhdon intensivisht. Në terren janë angazhuar mbi 20 punonjës të shërbimit zjarrfikës të Vlorës, punonjës të zonave të mbrojtura si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërhyrja nga ajri, e cila kishte nisur më herët, është ndërprerë për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe turbulencave në zonë. Për pasojë, helikopteri i angazhuar është tërhequr dhe nuk do të kryejë më hedhje uji.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa zjarri vazhdon të përbëjë një rrezik serioz për mjedisin dhe komunitetin përreth.










