ULTIMATUMI/ Rama në Fier drejtuesve të institucioneve: Dorëhiquni ose do shkarkoheni…

I shoqëruar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, drejtuese politike në Qarkun e Fierit, Kryeministri Edi Rama ka zbarkuar në Fier, atje ku ka kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve dhe zyrtarëve të Bashkisë, në kuadër të atij që e konsideron si proces vetëpastrimi.

Rama e nisi vizitën në Fier me një takim në Bashki, me një skenar pothuajse të njëjtë me atë të Vlorës, ku brenda 24 orësh, detyroi nënkryetarët e institucionet dhe drejtuesit e institucioneve vendore të dorëhiqen.

Nga raportimet e para lidhur me mbledhjen që po vijon në Fier, Rama ka kërkuar që procesi i vetëpastrimit të vijojë, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve që nuk kanë përmbushur pritshmëritë dhe detyrat.

Në këtë kuadër, pritet që brenda 24 orëve të ardhshme, edhe në Fier të ndodhë ajo që u pa në Vlorë me largime të zyrtarëve dhe drejtuesve të institucioneve lokale.

Kryebashkiaku Armando Subashi pritet të emërojë emrat e rinj jo vetëm në administratën e Bashkisë, por edhe në institucionet në varësi.

Ende nuk dihet se sa zyrtarë vendorë mund të ndryshohen në Fier, por duket se pas 11 majit, ku Edi Rama mori mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër, madje me një mazhorancës të frikshme prej 83 mandatesh, ka nisur një proces ‘pastrimi’ jo vetëm në rradhët e pushtetit vendor, por edhe në strukturat drejtuese të degëve të PS-së.