Një traget me 65 persona në bord u fundos përgjatë rrugës për në ishullin turistik indonezian të Balit. Deri më tani të paktën 4 persona kanë ndërruar jetë, 23 prej tyre janë shpëtuar e dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Anija u mbyt para mesnatës të mërkurën në Ngushticën e Balit, ndërsa lundronte drejt një porti në veri të ishullit të famshëm të pushimeve, duke u nisur nga Banyuëangi, një qytet në ishullin kryesor të Indonezisë, Java
Rama Samtama Putra, shefi i policisë së Banyuëangi-t, tha se katër persona kishin vdekur dhe 23 të tjerë ishin shpëtuar. Anija mbante 53 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, si dhe 22 automjete, tha agjencia e kërkim-shpëtimit.

Pamje nga ekipet e kerkim shpetimit ne Indonezi
“KMP Tunu Pratama Jaya u fundos rreth 25 minuta pasi lëshoi spirancën”, tha agjencia. Nuk tha se çfarë mund të ketë shkaktuar aksidentin, megjithëse sekretari i kabinetit Teddy Indra Ëijaya më vonë tha se shkaku ishte “moti i keq”.
Në kërkim të personave të zhdukur janë angazhuar 2 rimorkiatorë dhe dy anije, ndërkohë që nxjerrja e personave nga ujërat është tepër e vështirë për shkak të dallgëve që arrijnë deri në 2 metra lartësi dhe motit të keq.
Katër nga personat e mbijetuar kanë shpëtuar falë vënies në përdorim të varkës së shpëtimit të tragetit, ndërsa u gjetën nga autoritetet në ujërat e Balit në orët e para të ditës së sotme.









