Lala, ka rezultuar si një nga personat që kontrollonte, “operacionet belge” të një grupi të organizuar kriminal që kontrabandon emigrantë nga Belgjika përmes Kanalit Anglez në Mbretërinë e Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar ka shpallur “non grata” shqiptarin Bledar Lala dhe i ka vendosur atij sanksione të plota financiare dhe ligjore, si pjesë e një fushate të re globale kundër trafikimit të paligjshëm të njerëzve.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj Lalës është vendosur ndalesë udhëtimi, ngrirje pasurie dhe ndalim për të pasur lidhje financiare apo për të qenë drejtues kompanish në territorin britanik. Ai është një nga 30 individët dhe entitetet që u sanksionuan sot nga qeveria britanike në kuadër të një regjimi të ri ligjor, i pari në botë që synon drejtpërdrejt rrjetet kriminale të kontrabandës së njerëzve.
Sanksionet përfshijnë kriminelë nga Ballkani, Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe Azia, të përfshirë në aktivitete si kontrabandimi me varka të vogla, kamionë frigoriferikë, sigurimi i pasaportave false dhe transferime ilegale parash përmes sistemit Hawala.
“Mesazhi ynë për trafikantët është i qartë: e dimë kush jeni, do t’ju ndalojmë dhe do t’ju bëjmë përgjegjës.”, deklaroi Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy.
Kjo nismë është pjesë e planit “Plan for Change” dhe strategjisë “Ndalo, Dëno, Kthe”, që synon të godasë rrënjët e krimit të organizuar dhe të ndalë imigracionin e paligjshëm drejt Britanisë.









