Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ekziston një “mundësi e mirë” për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi me Hamasin, e cila do të përfshijë edhe lirimin e pengjeve që ndodhen ende në Rripin e Gazës.
Gjatë një interviste për “Fox Business” pak para takimit të tij me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon, Netanyahu tha se po vijon intensivisht ndërmjetësimi i Katarit, Egjiptit dhe SHBA-ve.
“Unë besoj se ka një mundësi të mirë që të kemi një armëpushim”, tha Netanyahu, duke konfirmuar se negociatat po vazhdojnë intensivisht në Doha, me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-ve.
Sipas një zyrtari izraelit, pengesa kryesore në bisedime mbetet kërkesa e Izraelit për të ruajtur praninë e tij ushtarake në Gazë, konkretisht në Korridorin Morag, në veri të Rafahut.
Edhe nëse arrihet një marrëveshje për ndalimin e luftimeve, Tel Avivi insiston që trupat izraelite të qëndrojnë në këtë zonë strategjike.
Netanyahu theksoi gjithashtu filozofinë e tij të politikës së jashtme, duke shtuar se paqja në rajon mund të arrihet vetëm përmes forcës.
Ai iu referua aleancë së tij me presidentin amerikan Donald Trump dhe mbështetjen ndaj të ashtuquajturës “doktrinë e paqes përmes forcës”.
“Ne kemi treguar forcë të madhe dhe duket se po jep fryte për paqen. Kjo mund të ndihmojë në zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe në krijimin e një realiteti të ri në Lindjen e Mesme, me më shumë prosperitet dhe stabilitet”, deklaroi Netanyahu.









