Bashkitë në vend nuk kanë marrë masa për të rritur sigurinë e digave. Raporti vjetor i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha konstaton se me përjashtim të disa digave të mëdha që janë për prodhim energjie, një pjesë e mirë e të tjerave shfaqin mangësi.
Kjo sjell jo vetëm përkeqësim të gjendjes së tyre për shkak të vjetërsisë dhe mungesës së mirëmbajtjes, por edhe krijimin e problemeve të ndryshme në elementet kryesore të tyre, siç janë veprat e marrjes së ujit apo sistemet e shkarkimit.
Dokumenti vlerëson se 40 % e bashkive që administrojnë digat e mëdha nuk dorëzojnë raportin vjetor për gjendjen e tyre dhe kjo tregon neglizhencën dhe paftësine nw administrim. Ndër bashkitë që nuk kanë hartuar raporte vjetore për gjendjen dhe monitorimin e digave te mëdha janë Elbasani, Berati, Durrësi, Korça, Tepelena, Finiqi dhe Peqini.
Nga inspektimet në terren, në digat e administruara nga këto bashki nuk ka të instaluar asnjë sistem të monitorimit të rezervuarit dhe puna e ekipeve të tyre është mjaft e dobët.
Në Shqipëri janë 225 diga të mëdha të cilat janë ndërtuar kryesisht para vitit 1990 me funksion ujitjen e tokave, ndërkohë që vitet e fundit pranë tyre është investuar edhe për biznese shërbimi e agroturizmi.









