RINUMERIMI/ Kandidati i Sali Berishës del nga rreshti – proteston për hapjen e gjithë kutive të Durrësit; Aulon Kalaj para KQZ: Unë akoma nuk e di sa vota kam

Kandidati në listën e hapur të PD-Aleancës për Shqipërinë Madhështore në zgjedhjet 11 majit në qarkun Durrës, Aulon Kalaja ka protestuar përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe sot i përkrahur nga disa mbështetës të tij.

“Përse bëheni palë me vjedhjen e votës”, “Ju mbuluat krimet zgjedhore”, lexohet në pankartat që mbanin në duar mbështetësit e tij.

Kalaja kërkon hapjen e të gjitha kutive të Durrësit duke theksuar se në procesin e rinumërimut kjo nuk ndodhi. Ai tha se nga kutitë e hapura u faktuan shumë paligjshmëri ndaj KAS-i duhet të vendoste rinumërimin e gjithë qarkut. Gjithashtu Kalaja paralajmëroi se do të ndjekë të gjithë mjetet ligjore.

“Do ndjek të gjitha mjetet ligjore. Kam shkuar në KAS për legjitimitet, në Kolegj Zgjedhor. Jam në një betejë në Gjykatën Kushtetuese. Do hap çështje tjetër tani, do i drejtohem SPAK-ut dhe do jetë po SPAK-u që nk duhet ta shkelë ligjin. Prokuroria do sekuestrojë kutitë e votimit. Jam në një betejë që do ti shkoj deri në fund. Unë akoma nuk e di sa vota kam. E kam të drejtë të di sa vota kam”, tha Kalaja.