Lidhur me ngjarjen e fundit ku drejtuesi i policisë Ardian Isufi së bashku me mikun e tij, dhunuan mizorisht një kamarier, ka reaguar dhe një prej efektivëve më të vjetër të policisë rrugore në Vlorë, Rexhep Llaçaj.
Ai njihet si një prej efektivëve më korrekt të qarkullimit rrugor në Vlorë me një karrierë mbi 20-vjeçare, por prej janarit të vitit 2021, i duhet t’i shërbejë dhe bashkëshortes së paralizuar, e cila u aksidentua në vizat e bardha, krim që nuk u zbardh kurrë dhe këtu akuzon drejtpërdrejt Ardian Isufin, i cili në atë kohë ishte OPGJ i ngjarjes.
Duke e lidhur dhe me tentativën për ta fshehur ngjarjen e para 3 ditëve ku u dhunua i mituri, në rastin e ngjarjes së bashkëshortes së tij, kjo gjë u arrit ku i zhduk çdo provë ku gishtin e drejton te Isufi. Gjithçka ka nisur në datën 24 janar të vitit 2021, kur bashkëshortja dhe fëmijët e tij të mitur po kalonin rrugën dhe në atë moment vjen një automjet, i cili e merr përpara bashkëshorten dhe traumatizon fëmijët. Bashkëshortja qëndroi në koma për një kohë të gjatë ndërsa sot është e paralizuar dhe fëmijët të traumatizuar.
Video ku u aksidentua bashkëshortja e Llaçajt
Edhe pse efektiv policie, ngjarja nuk u zbardh. Kur ka shkuar pas disa ditësh për të kërkuar pamjet nëpër biznese, iu tha se efektivë të tjerë kishin ardhur më përpara dhe i kishin fshirë. Për këtë ngjarje ai akuzon drejtpërdrejt Ardian Isufin për manipulim të ngjarjes. Kur i ka kërkuar një vit më parë llogari dhe të dhëna për aksidentin, Isufi i cili ishte drejtuesi i Qarkullimit Rrugor të qytetit dhe në të njëjtën kohë eprori i tij, e largon nga policia rrugore.
Llacaj, i cili e akuzon Isufin si manipulator të ngjarjeve, i bën thirrje prokurorisë që të rihapë dosjen e bashkëshortes së tij, por jo vetëm. Ai vlerëson guximin e gazetarit Enrik Mehmeti për publikimin e ngjarjes dhe mos rënies pre të kërkesave për ta fshehur atë dhe i bën thirrje prokurorisë që të zbardhë sa më parë pafajsinë e gazetarit. Pavarësisht rrezikut me vendin e punës, efektivi i policisë rrugore i qëndron përkrah gazetarit Mehmeti.
“Në 24 janar të 2021 kam pasur një aksident ku Ardian Isufi ka qenë Oficer i Policisë Gjyqësore. Më është aksidentuar gruaja dhe 3 fëmijët, ku ngjarja nuk është zbardhur asnjëherë. Pasi e çova në Tiranë nusen që theu dy këmbët, kokën, brinjët, pas 20 e ca ditësh që nusja reagoi, fola me punonjësin e policisë të Vlorës dhe më thanë që ngjarja nuk është zbardhur. Kam vajtur në shumë vende ku kishte kamera dhe më thanë që ngjarjen e kanë fshehur se kanë ardhur disa policë kanë fshirë kamerat. Pas 10 ditësh që u aksidentua nusja ime është aksidentuar dhe një qytetar tjetër, ngjarja u zbardh. Si ka mundësi që ngjarja e nuses sime u fshi, kur nusja ime ka ngelur sakate dhe fëmijët shumë të traumatizuar që nga ai moment dhe nuk është zbardhur asnjëherë ngjarja.
Më pas kam qenë punonjës i Ardian Isufit dhe i kam kërkuar disa herë zbardhjen e ngjarjes dhe ai më ka larguar nga policia rrugore. Në kohën që është aksidentuar nusja ime ka qenë dhe një punonjës policie madhor dhe ngjarja nuk është zbardhur asnjëherë. Nuk e di arsyen dhe pse janë fshirë këto kamera e nga kush janë fshirë”, thotë efektivi Llaçaj.









