REAGIMI/ Propozimi i Trump për armëpushim në Gaza, Netanyahu i prerë: Hamasi do të zhduket

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar për herë të parë pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se Izraeli ka pranuar një armëpushimi 60-ditor në rajonin e Gazës.

Netanyahu deklaroi të mërkurën se qëndrimi i Izraelit ndaj Hamasit mbetet i palëkundur.

Kryeministri izraelit shprehu vendosmërinë për shkatërrimin përfundimtar të Hamasit, duke theksuar: “Nuk do të ketë Hamas. Nuk do të ketë Hamastan. Nuk do të rikthehemi më aty. Është mbyllur kjo histori.”

Hamasi po shqyrton propozimet e reja për armëpushim, me synimin për të arritur një marrëveshje që do të mbaronte konfliktin në Gaza dhe do të siguronte tërheqjen e forcave izraelite nga enklava.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët se Izraeli ka pranuar kushtet e armëpushimit të propozuara nga SHBA-ja dhe se gjatë periudhës 60-ditore do të punohet me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës. Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha: “Shpresoj, për mirëqenien e Lindjes së Mesme, që Hamasi të pranojë këtë marrëveshje, sepse situata nuk do të përmirësohet – DO TË PËRKEQËSOHET.”

Ministri i Çështjeve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer, informoi përfaqësuesin amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Ëitkoff, se Izraeli ka pranuar propozimin për armëpushim dhe marrëveshje për të liruar pengjet, dhe është gati të fillojë bisedime të ngushta me Hamasin për finalizimin e marrëveshjes, sipas një zyrtari të lartë izraelit.