Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat këtë të hënë, reagoi pas vendimit të GJKKO për heqjen e masës së arrestit në shtëpi për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Berisha akuzoi qeverinë dhe kre e saj, Edi Rama, se mbajtën për 2 vite Malltezin në izolim, si një formë hakmarrjeje politike, për shkak të denoncimeve që ai kishte bërë për aferën e inceneratorëve.
“Jamarbër Malltezi u mbajt dy vite i burgosur politik, vetëm pse denoncoi aferën e djegësve. Në atë dosje, i vetmi njeri që ka shkelur ligjin është Edi Rama,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se Malltezi nuk kishte shkelur asnjë ligj, ndërsa e cilësoi tërësisht politike çështjen ndaj tij. Sipas kryedemokratit, dosja ndaj Malltezit është një “piramidë mashtrimi”, ndërkohë që akuzoi SPAK dhe drejtësinë si të kapura nga qeveria.
“Në një akt hakmarrjeje, Malltezi u mbajt dy vite në arrest shtëpie. Vetëm pse ishte ndër të parët që denoncoi publikisht aferën më korruptive të qeverisë Rama,” vijoi Berisha, duke shtuar se Rama dhe drejtësia e kontrolluar prej tij “po ndëshkojnë zërat kritikë”.









