Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të zhvillojnë një bisedë telefonike të premten, për të diskutuar ndërprerjen e papritur të disa furnizimeve kyçe me armë amerikane për Ukrainën, raportoi Financial Times.
Burimet thanë se presidenti ukrainas synon të ngrejë gjithashtu çështjen e shitjeve të mundshme të armëve në të ardhmen, përfshirë sistemet anti-raketë Patriot, për të cilat ka lobuar në mënyrë aktive, përfshirë gjatë një takimi në samitin e NATO-s javën e kaluar.
Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, orari i bisedës mund të ndryshojë, ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Presidentit të Ukrainës nuk kanë komentuar ende mbi bisedën e planifikuar.
Vendimi i Pentagonit për të ndalur dërgesat e disa sistemeve të avancuara të armëve e zuri në befasi qeverinë ukrainase, e cila reagoi duke thirrur një diplomat të lartë amerikan për sqarime.
Trump, i cili ka përshkruar marrëdhënien me Zelenskyn si “shumë të këndshme”, pritet të japë më shumë sqarime për këtë vendim në bisedën me liderin ukrainas.









