Raporti i BE-së për sundimin e ligjit në Shqipëri ekspozon dështimin e reformave kyçe, politizimin e komisionit anti-korrupsion dhe mungesën e vullnetit real për pastrim institucional.
Pas sulmeve dhe presioneve të ditëve të fundit të kryminsitrit ndaj drejtësisë, ka ardhur një shuplakë e fortë nga Brukseli.
Komisioni Europian, në raportin e vitit 2025 për sundimin e ligjit, i jep Shqipërisë një vlerësim të ftohtë dhe kritik, duke shpalosur probleme të thella dhe strukturore që po minojnë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe qeverisja demokratike.
Një nga shqetësimet më serioze është puna dhe ndikimi i kufizuar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Qeverisjen e Mirë, Sundimin e Ligjit dhe Luftën kundër Korrupsionit, i njohur si komisioni “Xhafaj”. I ngritur në maj 2024 pa konsensus të gjerë politik, ky komision, sipas raportit, “u injorua nga shumica e institucioneve të drejtësisë, të cilat zgjodhën të angazhoheshin vetëm në mënyrë formale, për shkak të shqetësimeve mbi pavarësinë dhe kompetencat e tyre kushtetuese”.
Komisioni vlerëson se “mangësitë në punë, metodologji dhe transparencën e Komisionit e kufizojnë ndikimin e tij dhe rrezikojnë të dublifikojnë punën e institucioneve ekzistuese”. Për më tepër, raporti thekson se “duhet siguruar që puna e tij të mos dëmtojë rezultatet pozitive të reformës në drejtësi të vitit 2016 dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë”.
Ndërkaq, presioni politik mbi drejtësinë është rritur ndjeshëm. Një nga episodet më tronditëse ishte reagimi i hapur i degëve ekzekutive dhe legjislative pas arrestimit të një zyrtari të lartë nga SPAK. Raporti evidenton se “ky episod u pasua me presion publik ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë, duke ngritur shqetësime serioze për pavarësinë e tyre”.
“Edhe pse përpjekjet për represion dhe parandalim janë rritur, korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha, duke përfshirë zonat me rrezik të lartë për korrupsion. Transparenca e kufizuar në procedurat e prokurimit publik, veçanërisht për partneritetet publik-private, mbetet një burim shqetësimi86. Specializimi në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në prokurim është i dobët. Keqpërdorimi i fondeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore mbetet një fushë shqetësuese”, thekson raporti.
SPAK, megjithë presionet, vlerësohet si institucioni më efikas në luftën kundër korrupsionit të lartë. Gjatë vitit 2024, kjo strukturë dënoi në mënyrë përfundimtare 106 persona, nga të cilët 13 ishin figura të nivelit të lartë, përfshirë ish-ministra, ish-kryetarë bashkish dhe ish-gjyqtarë. Gjithsesi, raporti ngre alarmin se “volumi i madh i rasteve dhe mungesa e burimeve në staf dhe infrastrukturë rrezikon ta pengojë SPAK-un në ndërtimin e një historiku të qëndrueshëm kundër korrupsionit”.
Institucionet e tjera që duhet të ndihmojnë në parandalimin e korrupsionit, si ILDKP apo Policia e Shtetit, vërehen me “kapacitete të dobëta, kontroll të kufizuar të pasurive dhe mungesë efektiviteti në verifikime”. Raporti përshkruan se deklaratat e pasurisë “mbeten të pazbuluara publikisht, me qasje vetëm pas autorizimeve të posaçme, gjë që dëmton transparencën”.
Një problem strukturor është edhe moszbatimi nga Kuvendi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Dështimi i Parlamentit për të zbatuar disa nga vendimet e Kushtetueses rrezikon parimin e shtetit të së drejtës dhe përforcon mosbesimin institucional”, theksohet në raport.
Përveç drejtësisë, edhe liria e medias është në rënie. Raporti vë në dukje që “pronësia mediatike është e përqendruar në disa grupe të fuqishme biznesi me lidhje politike”, ndërsa gazetarët përballen me “sulm personal, padi strategjike dhe censurë në rritje”. Vetëregullimi në sektorin mediatik mbetet “i dobët dhe joefektiv”.
Në fund, raporti është një thirrje urgjente për vullnet politik real, larg nga fasada e propagandës, për të kthyer institucionet në funksion të qytetarëve dhe jo të pushtetit. BE paralajmërën qartë: pa pavarësi të drejtësisë, pa luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe pa institucione të forta, rruga e integrimit europian do të mbetet vetëm një iluzion.









