QENDRIMI I TURQISE/ Erdogan ripërsërit mbështetjen për Sirinë: Nuk do të lejojmë ndarjen e vendit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka ripërsëritur mbështetjen për homologun e tij sirian, Ahmed al-Sharaa, duke deklaruar se Ankaraja kundërshton çdo përpjekje për ndarjen e Sirisë dhe e konsideron rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta si një zhvillim të dobishëm për Turqinë. Deklarata e tij u bë gjatë fluturimit të kthimit nga vizita në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), raporton Anadolu Agency.

“Në një kohë kur edhe aktorë të papritur po bashkohen në Siri, është thelbësore t’i shpjegohet botës se Izraeli po pengon përpjekjet për të rivendosur stabilitetin,” u shpreh Erdogan para gazetarëve.

Ankaraja ka shprehur mbështetje për sistemin kalimtar në Siri, të udhëhequr nga presidenti Ahmed al-Sharaa, i cili mori pushtetin pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor 2024

Lidhur me situatën në qytetin Suwayda të Sirisë, ku së fundmi pati përleshje mes fiseve beduine dhe pakicës druze, si dhe një ndërhyrje izraelite, Erdogan vlerësoi qëndrimin e homologut sirian si “të vendosur dhe pa shenja kompromisi deri më tani”.

“Izraeli nuk dëshiron stabilitet në rajon. Ai beson se një Siri e bashkuar nuk do të ishte në favorin e tij dhe vazhdon provokime të tilla,” tha presidenti turk.

Duke iu referuar çështjes së Qipros, Erdogan konfirmoi se nuk ka plane për të vizituar Qipron Jugore, duke nënvizuar se “ashtu siç ata nuk e njohin TRNC-në si shtet, ne nuk e njohim Qipron Jugore si shtet”. Ai përsëriti qëndrimin e palëkundur të Ankarasë për një zgjidhje me dy shtete në ishull.

Në lidhje me përpjekjet për forcimin e kapaciteteve ushtarake, Erdogan tha se Turqia po ndërmerr hapa për blerjen e avionëve luftarakë Eurofighter dhe se “Britania e Madhe dhe Gjermania po tregojnë një qasje pozitive ndaj kësaj çështjeje”.

Presidenti turk kritikoi gjithashtu Bashkimin Evropian, duke deklaruar se “BE nuk duhet të presë as edhe një ditë për të ringjallur dhe çuar përpara negociatat e pranimit të Turqisë”.