Ilir Meta duket se nuk është fort i kënaqur me mënyrën se si po operon opozita. Ai ka dhënë një intervistë në media, ku ka kërkuar më shumë organizim përballë Ramës. Sipas tij, opozita duhej të kishte shkuar në Theth dhe të ishte në mbështetje të banorëve.
“Ndaj opozita me 50 mandate mund të bëjë një barrikadë të pakapërcyeshme në mbrojtje të demokracisë, të Kushtetutës, të të drejtave të njeriut.
Duhet të ishin atje në Theth që ditën e parë të agresionit të dhunshëm ndaj qytetarëve të Thethit, bashkë me deputeten Greta Bardeli.
Sepse vetëm kështu edhe qytetarët do ta besojnë opozitën dhe kauzat e saj në interes të tyre.
Një opozitë e pakompromis dhe e mirëorganizuar në një kohë shumë të shpejtë, e shkërmoq këtë kala rëre të ngritur mbi vjedhje, korrupsion dhe intimidim.
Rama e di shumë mirë se përfaqëson pakicën e pakicës, por ai ka mbizotëruar së pari duke korruptuar drejtuesit e opozitës në të kaluarën dhe duke investuar për përçarjen e saj dhe persekutimin e atyre që as i ble dot e as i shantazhon dot”, tha ai.









