PARKIM MBI TROTUAR/ Gjobitet dhe procedohet penalisht 31-vjeçari në Sarandë

Parkoi automjetin në mënyrë të parregullt, mbi trotuar, duke penguar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve, në një nga rrugët e qytetit të Sarandës, procedohet penalisht dhe gjobitet me masë administrative 20 000 lekë, 31-vjeçari.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të parkimeve të parregullta që pengojnë qarkullimin normal të mjeteve dhe qytetarëve, konstatuan më datë 26.07.2025, rreth orës 23:30, në rrugën “Vangjel Pandi”, një automjet të parkuar në mënyrë të parregullt, mbi trotuar, duke bllokuar rrugëkalimin për automjete të tjera dhe për këmbësor

Menjëherë pas identifikimit të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. D., 31 vjeç, banues në Kamëz, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj tij, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal.

Gjithashtu, nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Sarandë, ndaj drejtuesit të automjetit tip “Benz”, u vendos edhe masë administrative në vlerën 20 000 lekë, për shkelje të nenit 159, pika 2/4, të Kodit Rrugor.