PANIK NE AJER/ Avioni i Delta Airlines bën ulje emergjente në SHBA – plagosen 25 persona nga turbulencat e forta

Një avion i kompanisë Delta Airlines, që ishte nisur drejt Amsterdamit, është detyruar të bëjë një ulje emergjente në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara, pasi të paktën 25 persona u plagosën nga turbulenca të forta gjatë fluturimit.

Fluturimi ishte nisur nga Salt Lake City në Utah, por u devijua për të u ulur në aeroportin ndërkombëtar Minneapolis–Saint Paul, pas turbulencave që kompania i cilësoi si “të konsiderueshme”.

“Në momentin e mbërritjes, ekipet mjekësore ishin të pranishme për të vlerësuar gjendjen e pasagjerëve dhe ekuipazhit. Njëzet e pesë prej tyre u dërguan në spitale lokale për trajtim dhe ekzaminime të mëtejshme,” thuhet në deklaratën zyrtare të Delta Airlines.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen e të gjitha ekipeve të emergjencës që reaguan me profesionalizëm,” shtoi kompania.

Turbulencat ajrore prej kohësh përbëjnë një shqetësim për udhëtarët, por ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet për shkak të krizës klimatike, e cila po sjell kushte atmosferike gjithnjë e më ekstreme.

“Është e pritshme që rastet me turbulenca të forta të dyfishohen ose edhe të trefishohen në dekadat e ardhshme,” tha për BBC-në Paul Williams, shkencëtar i atmosferës në Universitetin e Reading në Mbretërinë e Bashkuar.