Një shpërthim i fuqishëm ndodhi dje në një fabrikë kimike të kompanisë Sigachi Industries në distriktin Sangareddy të shtetit Telangana, Indi.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar vdekjen e 34 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Sipas mediave vendase, shpërthimi ndodhi në reaktorin e uzinës midis orës 08:15 dhe 09:35 të mëngjesit, duke shkaktuar shembjen e disa pjesëve të objektit dhe një zjarr të madh.
Shpërthimi shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga shërbimet emergjente, të cilat vazhdojnë edhe sot operacionet e kërkim-shpëtimit.
Ministri i Shëndetësisë i Telanganës deklaroi fillimisht: “Rreth 12 persona vdiqën dhe 34 të tjerë janë nën trajtim. Shpresojmë që të mos ketë më viktima.”
Megjithatë, numri i të vdekurve u rrit gjatë ditës, pasi u gjetën më shumë trupa nën rrënoja dhe disa nga të plagosurit nuk mundën t’i mbijetojnë plagëve të marra.
Departamenti i Zjarrfikësve konfirmoi se trupat e parë u nxorën menjëherë pas shpërthimit, ndërsa operacionet e shpëtimit u intensifikuan më tej.
Alarmi i parë për zjarr u mor në orën 09:37, pas të cilës 11 automjete zjarrfikëse nga Patancheru, Sangareddy, Kukatpally, Madhapur, Jeedimetla dhe Rajendranagar u dërguan me urgjencë në vendngjarje.









