Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër zotërimit të paligjshëm, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse, Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes SEESAC, dorëzuan gjatë ditës së sotme pajisje të specializuara për Policinë e Shtetit Shqiptar.
Në ceremoninë e dorëzimit, të organizuar në Tiranë, morën pjesë Besfort Lamallari, Zëvendësministër i Brendshëm dhe Kryetar i Komisionit të AVL-ve, Drejtuesi i Lartë Sokol Bizhga, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar, André Rizzo, I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Randi Davis, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri.
“Ky donacion i vlefshëm nuk është thjesht mbështetje për forcat tona të policisë. Ai përbën një testament të partneritetit të fortë ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe partnerit tonë zbatues, UNDP, për të kontribuuar në sigurinë rajonale dhe për të ecur përpara në rrugën tonë drejt integrimit në BE”,-u shpreh Zëvendësministri i Brendshëm, Lamallari.
Pajisjet e dhuruara kanë një vlerë totale prej 1 192 782 dollarë amerikanë dhe janë financuar nga Bashkimi Evropian, në vijim të vlerësimit të nevojave operacionale të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Policisë Kriminale në Shqipëri.
Detektorët e metalit, kamerat termike dhe skanerët me rreze X, si dhe kompletet për lëndët plasëse dhe vendngjarjen, janë të gjitha pajisje të vyera që do të forcojnë aftësinë e autoriteteve shqiptare për të mbledhur prova, realizuar hetime, si dhe për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur incidenteve me armë zjarri në mënyrë më efektive.
“Përmes mbështetjes strategjike të Bashkimit Evropian, UNDP-ja, përmes SEESAC, po dorëzon pajisje të specializuara për Policinë e Shtetit Shqiptar, duke forcuar kështu kapacitetet e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, si dhe të Policisë Kriminale. Këto pajisje rrisin kapacitetet e zbulimit, thjeshtojnë analizën kriminalistike dhe përmirësojnë përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe përgjigjen në rastet urgjente, si dhe theksojnë angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar komunitete më të sigurta dhe për të trajtuar ndikimin e thellë të armëve të vogla dhe të lehta në të gjithë rajonin”,-deklaroi Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP, Randi Davis.
Kjo mbështetje është financuar nga Bashkimi Evropian përmes Vendimit të Këshillt (CFSP) 2019/2111, të ndryshuar përmes Vendimit të Këshillit (CFSP) 2024/381.









