MBYLLEN HETIMET/ Nën akuzë për deklarim të rremë të pasurisë – GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj Asllan Dogjanit

GJKKO vendos kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të deputetit demokrat Asllan Dogjani. Ai akuzohet nga SPAK për “refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë” lidhur me një apartament rreth 100 metër katrorë, për të cilin ai thotë se e ka e fituar si rezultat i këshillimit juridik.

Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, ai deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Sipas SPAK, në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvend. Më tej mësohet se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.

Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarët, SPAK konstatoi se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Sipas Prokurorisë, kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.