MBESHTETJA PER UKRAINEN/ BE-ja premton përmbushje të nevojave financiare për Kievin

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, deklaroi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka konfirmuar mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian për stabilitetin financiar të Ukrainës dhe aspiratat e saj për anëtarësim në Union. Komentet u bënë pas një takimi dypalësh në Spanjë, në kuadër të Konferencës së OKB-së për Financimin e Zhvillimit.

Në fokus të diskutimeve ishin angazhimet e ardhshme financiare të BE-së për Ukrainën, për periudhën 2026–2027, në funksion të rimëkëmbjes ekonomike të vendit që vijon të përballet me agresionin rus.

“Falënderova Komisionin Evropian dhe presidenten Von der Leyen për mbështetjen e tyre kyçe, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes,” shkroi Shmyhal në një postim në Telegram pas takimit.

Ai shtoi se biseda u përqendrua gjithashtu te përgatitjet për nisjen e negociatave zyrtare për anëtarësimin e Ukrainës në BE. “Bashkimi Evropian konfirmoi mbështetjen e plotë për hapat tanë të ardhshëm,” tha kryeministri ukrainas.

Ukraina synon të hapë zyrtarisht bisedimet për anëtarësim brenda këtij viti, si pjesë e rrugës së saj drejt integrimit evropian, ndërkohë që vazhdon përpjekjet për reforma dhe forcimin e institucioneve në kushtet e një lufte të përgjakshme dhe të gjatë.