Parlamenti i Gjermanisë ka përkujtuar 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku u vranë mbi 8.000 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Në seancë morën pjesë deputetë, dy të mbijetuar të gjenocidit dhe ambasadorë të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.
Deputetët e Bundestagut e dënuan ashpër qasjen e Serbisë ndaj luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi. Michael Brand, deputet i CDU-së, theksoi se Serbia e mbështetur nga Rusia ka udhëhequr luftëra që nga viti 1991.
Deputeti i CDU e quajti Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, trashëgimtar të politikave të Millosheviçit dhe e akuzoi për lidhje me Presidentin e Rusisë, Vladimit Putin.
Një fjalim të ndjerë mbajti edhe Jasmina Hostert, deputete e lindur në Sarajevë dhe e plagosur në luftë.
Ndërsa një deputet i AFD-së relativizoi gjenocidin, çka u kundërshtua fuqishëm. Ky përvjetor riktheu në vëmendjen ndërkombëtare nevojën për drejtësi dhe paqe në Ballkan.









