Presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar në një letër drejtuar Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, se Franca do ta njohë shtetin palestinez në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së .
Macron tha në një postim në “X” se do ta formalizonte vendimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
“Besnik ndaj angazhimit tim historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë Shtetin e Palestinës. Do ta njoftoj zyrtarisht këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shtatorin e ardhshëm. Sot, është urgjente të ndalet lufta në Gaza dhe të ndihmohet popullsia civile. Paqja është e mundur. Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve dhe ndihmë masive humanitare për popullsinë e Gazës”, tha presidenti francez.
“Ne gjithashtu duhet të sigurojmë demilitarizimin e Hamasit, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës. Së fundmi, Shteti i Palestinës duhet të ndërtohet, qëndrueshmëria e tij duhet të sigurohet dhe duhet t’i jepet mundësia, duke pranuar demilitarizimin e tij dhe njohjen e plotë të Izraelit, të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme. Nuk ka alternativë tjetër. Francezët duan paqe në Lindjen e Mesme. Ne, francezët, së bashku me izraelitët, palestinezët, partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, kemi përgjegjësinë të demonstrojmë se kjo është e mundur. Në dritën e angazhimeve që më ka bërë Presidenti i Autoritetit Palestinez, i shkrova atij duke shprehur vendosmërinë time për të ecur përpara. Besim, qartësi dhe angazhim. Ne do të fitojmë paqen”, shkruan Macron.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, tha se konsulli në Jerusalem i dorëzoi Autoritetit Palestinez një letër nga Macron, ku deklarohej qëllimi i Francës, dhe Barrot tha se të konfirmonte angazhimin e Francës në Kombet e Bashkuara të hënën.
Zëvendëspresidenti i Autoritetit Palestinez (AP) Hussein Al Sheikh përmes një postimi në “X” ka falënderuar Macronin për letrën e tij drejtuar Presidentit të AP-së Mahmoud Abbas.









